Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Iranit të vendosë menjëherë një moratorium për dënimin me vdekje, duke e cilësuar situatën “shqetësuese” pas një rritjeje të konsiderueshme të ekzekutimeve gjatë vitit 2025.
Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut Volker Türk, të paktën 612 persona janë ekzekutuar gjatë gjysmës së parë të këtij viti, një shifër që është më shumë se dyfishi i numrit të ekzekutimeve të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit 2024 (297 raste).
Türk theksoi se shumica e të ekzekutuarve përkasin grupeve minoritare dhe se procedurat gjyqësore shpesh janë zhvilluar me dyer të mbyllura, pa respektuar standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë.
Sipas OKB-së, mbi 40% e ekzekutimeve janë për shkelje të ligjeve të drogës, ndërsa të tjerë janë dënuar për akuza si “armiqësi ndaj Zotit” dhe “korrupsion në Tokë,” akuza që përdoren shpesh për të shtypur kritikët e regjimit.
Aktualisht, të paktën 48 persona janë në listën e pritjes për ekzekutim.