Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku me anë të një postimi në rrjete sociale shprehet se prej 12 vitesh qytetarët shqiptarë dëgjojnë të njëjtat premtime për reforma që do të përmirësojnë jetën e tyre.
Tabaku shprehet se realiteti i premtimeve është ndryshe. Ajo thotë që bizneset po luftojnë çdo ditë përballë qeverisë që punon për pakicën dhe sundon mbi shumicën. Tabaku nënvizon se shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për ta dhe jo për një propagandë.
“Investimeve u janë vënë barriera. Jo nga tregu, por nga monopolet e sponsorizuara nga pushteti. Tregu është mbyllur jo nga rregullat, por nga qokat e qeverisë. Ligjet nuk shkruhen për të gjithë, por për një rreth të ngushtë klientësh.
Kemi një krizë të sajuar me duart e një qeverie që nuk ka punuar për qytetarët, por ka ndërtuar një sistem të padrejtë. Një sistem që takson më shumë se sa njerëzit fitojnë. Që ndëshkon punën dhe shpërblen lidhjet.
Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që nuk jeton me propagandë, por punon për ta. Biznesi ka nevojë për ndershmëri, konkurrencë të lirë dhe rregulla që vlejnë për të gjithë.
Kjo nuk mund të vijë nga një qeveri që sundon me slogane. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Jo për një tjetër shfaqje.”, shprehet Tabaku.