Mbrëmjen e djeshme një 53-vjeçar shqiptar është arrestuar në qytetin italian të Gubbios.
Ai u arrestua pasi akuzohet se kishte mbajtur të mbyllur në banesë ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, 7 dhe 11 vjeç, duke ushtruar ndaj tyre edhe dhunë fizike.
Ai e kishte mashtruar ish-bashkëshorten që të vinte në Itali më 30 korrik së bashku me fëmijët, por pasi ata mbërritën, ua kishte marrë pasaportat dhe celularët për t’i ndaluar të largoheshin. Gjatë ditëve të qëndrimit të detyruar, ai kishte ushtruar edhe dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre.
Pas arrestimit të shqiptarit policët vendosën nën mbrojtje nënën dhe dy fëmijët në një strukturë të sigurt. Ndërsa për burrin, përveç akuzës për privim të paligjshëm të lirisë dhe dhunë në familje, rëndon edhe akuza për mbajtje të paligjshme të një thike.








