Policia e Shtetit gjatë muajit korrik ka finalizuar 103 operacione policore. Nga këto 25 operacione janë në bashkëpunim me partnerët, për goditjen e krimeve kibernetike, trafikimit të drogës, si dhe për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu janë arrestuar 761 persona të akuzuar/dënuar për vepra penale të ndryshme, janë asgjësuar 52 934 bimë Cannabisi, si dhe janë sekuestruar rreth 2.5 kg kokainë, 6.2 kg cannabis, qindra doza të këtyre lëndëve dhe sasi amfetaminë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 33 armë zjarri, 110 kapsolla detonatore, 2 antiplumba dhe silenciatorë, janë zbardhur 10 ngjarje kriminale, ndër to: vrasje, plagosje me mjete prerëse, shkatërrim prone me eksploziv dhe djegie të qëllimshme pronash. Gjithashtu janë parandaluar ngjarje kriminale në Tiranë, Lezhë, Vlorë, e Sarandë që mund të kryheshin nga persona që lëviznin të armatosur.
Gjithashtu janë arrestuar 226 drejtues mjetesh, nga të cilët 139 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 87 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 252 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë.
Janë vendosur 22 338 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.