Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se bujqësia shqiptare po vuan nga politika tatimore e gabuar. Tabaku thotë se rritja e TVSH në 20% ka rritur formalitetin.
Ajo shprehet se krijimi i një modeli ekonomik që prodhon bëhet duke rregulluar dhe nxitur prodhimin shqiptar nëpërmjet TVSH.
“Nëse duam një model ekonomik i cili punon dhe funksionon për fshatin, duhet patjetër që TVSH-ja për fshatin të kthehet në nivelet mëparshme. Duhet që TVSH-ja të zbresë në 6%, ose në 0%, që do të ishte rasti ideal.
Rritja e TVSH-së në 20% ka rritur informalitetin. Por, nga ana tjetër, ka bërë të mundur që një pjesë e madhe e fermerëve të vegjël të dalin jashtë tregut.
Nxitja e bujqësisë bëhet sigurisht nëpërmjet granteve, bëhet nëpërmjet skemave mbështetëse, por ajo që është më e rëndësishme – bëhet nëpërmjet taksës.
Krijimi i një modeli ekonomik që prodhon, që mbështet prodhuesit e vegjël, që i kthen ata në furnitorë të prodhuesve më të mëdhenj, bëhet vetëm duke rregulluar dhe duke nxitur prodhimin shqiptar nëpërmjet TVSH-së.
Përndryshe, fshati do të vdesë. Do të vazhdojë të bjerë, ashtu siç ka rënë deri më sot.”, shprehet Tabaku.