Policia ka arrestuar një person dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë, për 3 raste zjarrvënie, përkatësisht në Lukovë, Bolenë dhe Tragjas.
43-vjeçari me iniciale B. A., banues në fshatin Lukovë me 10 gusht në vendin e quajtur “Lapardha”, pasi ka konsumuar cigare, e ka hedhur në tokë dhe nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 30 rrënjë ullinj, si edhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra.
Ndërsa është proceduar penalisht 34-vjeçari me iniciale E. T., banues në fshatin Bolenë. Ai më 9 gusht në afërsi të varrezave të fshatit, ka ndezur zjarr për pastrimin e kullotës që kishte në përdorim. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe disa pisha.
Ndërsa është proceduar penalisht edhe G. Gj., 58 vjeç, banues në fshatin Tragjas, i cili me 8 gusht ka ndezur zjarr dhe u dogj një sipërfaqe me bimësi.
Ndërkohë materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.