Shoqëria KAYO reagoi ndaj pretendimeve të kreut të grupit mediatik Focu, Irfan Hysenbelliut, lidhur me dorëzimin e ndërtesës dhe materialeve brenda saj.
Sipas KAYO-s, “Presidenti i News24 dhe mediave të tjera ka pranuar ta dorëzojë vullnetarisht ndërtesën, por kjo nuk ka ndodhur brenda afatit prej 48 orësh.”
Shoqëria mohoi gjithashtu pretendimet se janë fshirë apo grabitur dosje të rëndësishme që mediat e Hysenbelliut po hetonin për korrupsion dhe abuzime qeveritare. Në një njoftim thuhet se:
“Lirimi i ndërtesës është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të forcave të armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj. Pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.”
Materialet e gjetura janë inventarizuar dhe dërguar pranë Rezervave të Shtetit në Durrës, ndërsa KAYO i ka bërë thirrje administratorit të paraqitet personalisht për të marrë bazën materiale.