Anëtarja e Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Anisa Ibraj në një deklaratë për mediat u shpreh se sezoni turistik ka dështuar.
Ajo thotë se ndotja e rëndë të detit nga ujërat e zeza, mungesa e sigurisë në plazhe, rritja e çmimeve dhe shërbimet e dobëta, si dhe betonizimi si faktorë që kanë dëmtuar imazhin e qytetit bregdetar. Ibraj u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë.
“Qeveria mundohet ta fshehë këtë realitet, sepse deri dje Kryeministri mburrej me shifrat e turizmit, ndërsa sot përpiqet të mbulojë dështimin me foto dhe video të sajuara nga lart me dron.
Me ndotje masive, pasiguri në plazhe, çmime të papërballueshme dhe betonizim të pakontrolluar, si mund të pretendojë Kryeministri se Shqipëria është gati për Bashkimin Europian?
BE nuk mbyll sytë para mungesës së standardeve të higjienës, mbrojtjes së mjedisit, sigurisë dhe të drejtave të konsumatorit. Me këtë gjendje, jo vetëm që nuk po afrohemi me BE-në, por po humbim edhe turistët që deri dje ishin burimi kryesor i të ardhurave të qytetit.
U bëj thirrje qytetarëve të Durrësit, bizneseve dhe të gjithë atyre që e duan këtë qytet: mos pranoni të heshtni! Ky është qyteti ynë, shëndeti ynë, imazhi ynë. Durrësi nuk mund të jetë pronë private e pushtetit dhe klientelës së tij.
Si anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe përfaqësuese e Partisë së Lirisë, nuk mund të hesht përballë mashtrimeve të qeverisë që po dëmtojnë ekonominë, imazhin dhe historinë e qytetit tonë.”, u shpreh ajo.