Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar zjarresh, me 13 vatra aktive, nga të cilat 10 janë në zhvillim dhe 3 në monitorim.
Ndër lokacionet më problematike është Bashkia Bulqizë, ku në fshatin Tërnovë, zjarri vazhdon të zhvillohet mes pyjeve të dendura, por banesat nuk rrezikohen.
Po ashtu, në Malin me Gropa, afër fshatit Val, zjarri është në monitorim dhe po digjen shkurre dhe barishte të thata.
Në Bashkinë Fushë Arrëz, zjarri në fshatin Xeth është aktiv në tre vatra dhe ka nevojë për ndërhyrje të vazhdueshme nga zjarrfikësit dhe ushtria.
Po kështu, në Mirditë dhe Kolonjë, janë angazhuar forca të mëdha për shuarjen e zjarreve, ndërkohë që në disa rajone të Tiranës, situata është nën kontroll, por vijon monitorimi intensiv.
Zjarret në Pezë, Tiranë, kanë marrë përmasa të mëdha dhe rrezikojnë pyllin me pisha, ndërkohë që në Elbasan dhe Gramsh ka pasur riaktivizime të zjarreve në zona të vështira për ndërhyrje.