Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi nga Anchorage, Alaska, se takimi prej rreth 3 orësh me presidentin amerikan Donald Trump u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe me respekt reciprok.
Ai e cilësoi samitin si një “pikënisje për rikthimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve”, duke theksuar se të dy liderët treguan gatishmëri për dialog të sinqertë.
Putin foli gjerësisht për historinë e përbashkët të SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për çështje globale, veçanërisht konfliktin në Ukrainë, të cilin e cilësoi “një tragjedi mes vëllezërish”.
Ai shprehu vlerësim për përpjekjet e Trump për paqe dhe siguroi se Rusia është e interesuar për një zgjidhje afatgjatë dhe stabilitet të qëndrueshëm.
Sipas Putinit, ky takim është një hap domethënës për të kaluar përtej krizave të së kaluarës dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re, pragmatike dhe bashkëpunuese me SHBA-në.