Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u shpreh të dielën se ekipi i tij nuk është duke e shqyrtuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, si përgjigje shtetërore ndaj protestave ditore kundër pushtetit. Në ditët e fundit, protestat janë bërë të dhunshme.
“Nuk po e konsiderojmë këtë masë, sepse procedura është e komplikuar. Është mundësia e fundit, mirëpo nuk e kemi konsideruar dhe nuk do të dëshiroja që ta konsiderojmë”, ka thënë ai.
Presidenti serb ka thënë se në “tre apo katër ditët e ardhshme shteti do të marrë vendime të habitshme” si përgjigje ndaj protestave kundër Qeverisë.
“Do të duket sikur ne jemi tërhequr, sikur jemi frikësuar”, ka thënë Vuçiç duke shtuar se përgjigja e shtetit “nuk do të jetë e zakonshme”.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë hollësi se në çfarë drejtimi do të shkojë shteti.
Protestat kundër Qeverisë janë organizuar në qytete të ndryshme serbe në ditët e fundit dhe në to është raportuar për përleshje në mes të protestuesve dhe policisë.
Në adresimin e tij të dielën, Vuçiq ka thënë se është duke u përgatitur “një reagim shtetëror zyrtar dhe ligjor” dhe që “gjithçka do të përdoret për ta rikthyer paqen dhe rendin”.