Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka publikuar një tjetër video në rrjetet sociale që sipas tij fakton krimin elektoral dhe vjedhjen e zgjedhjeve të 11 Majit. Në video, sipas tij dallohet qartë se patronazhistët e PS kontrollojnë votimin e qytetarëve ditën e zgjedhjeve, duke dhunuar lirinë e tyre për të votuar.
“Episodi 5/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Neni 1 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira dhe të barabarta”. Zgjedhjet e 11 Majit nuk ishin as të lira dhe as të barabarta. Jo vetëm që shteti u shkri me partinë në pushtet, por kjo e fundit njëlloj si një bandë terroriste cenoi hapur lirinë e zgjedhësve për të votuar në fshehtësi dhe të pa kontrolluar.
Pamjet zyrtare të KQZ provojnë sesi në QV 1813, njësia administrative Dushk, Bashkia Lushnje, patronazhistët e PS kontrolluan votimin e qytetarëve ditën e zgjedhjeve, duke dhunuar lirinë e tyre për të votuar të pa kontrolluar.
Belinda Balluku urdhëruesja e kësaj skeme të shtrirë në të gjitha QV që kanë pamje me videokamera, e kishte të qartë se vetëm përmes skemave mafioze mund të kontrollonte çdo votë të blerë me para korrupsioni. Qytetarët presin ndëshkimin e terroristëve elektoral, dhe është detyrë e organeve të drejtësisë që të mos mbyllin sytë përpara krimit elektoral” shprehet ai.