Policia kufitare përgjatë vijës së gjelbër në kufirin Kosovë-Shqipëri, mbrëmë ka hasur në një person të dyshuar që kishte një çantë dhe ishte i armatosur.
Me të vënë re zyrtarët policorë, i dyshuari u ka drejtuar armën, shkruan IndeksOnline.
Sipas policisë, zyrtarët kanë tentuar të ndalojnë të dyshuarin, por ai ka hedhur çantën dhe ka kaluar në zonën malore, duke ardhur në drejtim të Shqipërisë.
“Lidhur me rastin është kontrolluar çanta ku është vërejtur sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas matjes nga Njësia e Antidrogës ka rezultuar rreth 21 kilogramë” thuhet në njoftimin e policisë.
Sasia është konfiskuar, teksa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet policore të Prizrenit.








