-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Sadri Ramabaja: Lista Serbe si “precedent i rrezikshëm”

Kryesoret

Tolerimi i Listës Serbe si “strukturë e kontrolluar nga jashtë” në Kosovë, i jep sinjal Serbisë se një gjë e tillë mund të funksionojë edhe në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Kur në skenë kthehet modeli i politikanit të papërgjegjshëm

Akti i dorëzimit të Shkodrës nga ana e Esat Pashë Toptanit ushtrisë së Malit të Zi, shënonte hapin më serioz të tradhëtisë në kohën kur kryengritja shqiptare për pavarësi kishte kulmuar dhe po bëhej çmos që të ruhej kryeqendra kulturore e Kombit shqiptar. Më pas ai do ta bëjë edhe një Marrëveshje në Nish me mbretin serb Nikolla Pashiq [17 shtator 1914]1, përmes së cilës de facto e shndërronte Shqipërinë në vasale të Serbisë. Përfundimi i Esat Pashës dihet. Ai shkoi në histori si kryetradhëtar i interesave të Shqipërisë.
Për fat të keq, modeli i sjelljeve të tij prej politikani të papërgjegjshëm do të ripërsëritet më 19 prill 2013. Marrëveshja e 19 prill 20132 e rikthente Serbinë brenda Kosovës përmes Listës Serbe si formacion politik që drejtohet nga Aleksander Vuçiqi, presidenti serb. Si e tillë ajo, pra marrëveshja në fjalë, do të inaugurohej në praktikë në një trajtë bashkëqeverisjeje të Kosovës mes Beogradit dhe Prishtinës, për aq kohë sa do të pregaditej terreni për aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës Serbisë.

Vitet mes 2015 – 2020 do të rrjedhin në shenjë të kësaj pregaditje intenzive, që kulmoi me akordimin për një marrëveshje që do të cilësohej me eufemizëm: Shkëmbim territoresh!

Fundi i kësaj historie u duk sikur u stivua në sirtarët e historisë me arrestimin e Hashim Thaçit dhe dorëzimin e tij në Burg [Hagë]. Por duket se asnjëherë segmente të diplomacisë perendimore nuk kanë pushuar të pretendojnë ta rikthejnë atë në jetë, duke pretenduar t’ia imponojnë Kosovës që të aplikohet në trajtën e një Republike Serbe që funksionon në Bosnjë. Faza e parë shihet si nga Beogradi edhe nga Brukseli, duhet të jetë pikërisht krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, që do ta ketë si qendër administrative e politike Mitrovicën e veriut.

Ntyrisht ky projekt, pas 14 shkurtit 2025, është e qartë, nuk mund të vihet në jetë pa një lloj puçi politik në Prishitnë. Mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe impenjimi i thellë përmes luftës hibride brenda opozitës sonë, krijon predispozita iluzive për diçka të kësaj natyre. Bllokimi i procesit të konstituimit të Kuvendit dhe me këtë edhe të Qeverisë Kurti 3, ka pikërisht këtë objektiv. Por, sidoqoftë, rrjedha e gjërave, realiteti politik në veriun e Republikës, këto katër vitet e fundit, ka marrë rrugën e pa kthim.

Lista Serbe si Kali i Trojës

Lista Serbe si strukturë politike, alias degë e Partisë së Progresit Serb, në dukje është një strukturë politike legjitime brenda institucioneve të Kosovës, por në thelb është një instrument strategjik i Beogradit për të minuar sovranitetin dhe funksionalitetin e Republikës.

Në sipërfaqe, formalisht Lista Serbe paraqitet si përfaqësuese e serbëve të Kosovës, me legjitimitet zgjedhor. Në realitet, ajo rrafshin vertikal, të hierarkisë ajo është e varur nga Beogradi (drejtpërdrejt nga Aleksandar Vuçiq dhe strukturat e tij të sigurisë). Prania e saj në Kuvend, Qeveri dhe komuna nuk ka për qëllim integrimin, por bllokimin dhe shantazhin institucional.
Në esencë, Lista Serbe, ashtu si grekët në Trojë, Lista Serbe hyn në institucionet e Kosovës dhe e përdor pozitën për të: penguar ligje, për të kushtëzuar qeverinë, për të imponuar kërkesa për asociacion njëetnik.
Në planin e jashtëm Lista Serbe mbetet e lidhur me Beogradin, i cili e përdor për të argumentuar se serbët e Kosovës nuk pranojnë Republikën e Kosovës.

Për ironi, ky Kalë i Trojës është futur në Kosovë me ndihmën e diplomacisë perëndimore (Marrëveshja e Brukselit 2013). Perëndimi vazhdon ta shikoj [edhe pas rastit të Banjës] si instrument stabiliteti, por në realitet ajo është instrument kontrolli i Beogradit. Ky gabim strategjik përkujton atë të trojanëve, që menduan se Kali ishte dhuratë, por rezultoi shkatërrim.

Lista Serbe nuk është parti e zakonshme minoritare në një demokraci – ajo është një instrument politik-sigurie i Beogradit, i maskuar si përfaqësim demokratik.
Asociacioni i Komunave Serbe është Kalaja ku do të strehohet ky Kalë i Trojës dhe nga ku Serbia do të ushtrojë pushtet brenda Kosovës.

Gjyqësori para sprovës hstorike

Më 21 gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së.

KQZ-ja ka kryer ashtu si e ka krye detyrën e tij. i mbetet instancave ligjore t’i japin rrugë kësaj nyjeje politiko-juridike.
Ndërkohë PZAP-ja do t’i nënshtrohet presioneve të të gjitha formave të mundshme. Dhe, ashtu siç pritej, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) mori vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.3
Lëvizja Vetëvendosje ndërkohë paralajmron se do ta vazhdojë betejen gjyqësore, duke e dërguar lëndën në Gjykatën Supreme.

Në rast se gjyqësori ynë bie në provim, atëherë është e qartë, Lista Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit apritet t’i fitojë së paku komunat në veri. Por kjo nuk do të thotë se gjendja do të thehet në pozicionin që ishte në vitin 2020. Prezenca e shtetit të Kosovës është tashmë gjithandej. Flamuri i Kosovës është aty. Institucionet lokale sot japin llogari para ligjeve të Kosovës. Nuk ka më barrikada. Nuk ka më dinarë. Nuk ka më targa ilegale. Nuk ka më struktura paralele. Nuk ka më banda kriminale serbe të financuara e të dirigjuara nga Beogradi. Ky realitet nuk kthehet prapa. Ky është ndryshimi që ka sjellë Kosova, gjykojnë njohësit e rrethanave jo vetëm në terren.

Zhgënjimi i BE-së dhe nyja e madhe strategjike

Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike serbe në Kosovë, Lista Serbe dhe Demokracia Serbe  për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në një deklaratë, BE-ja e ka cilësuar për keqardhje qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“BE-ja është e zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike të serbëve të Kosovës. Është për keqardhje qëndrimi i Vetëvendosjes gjatë procesit të certifikimit. Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve të ardhshme lokale është kyç për të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që i kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohet të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur duhet të marrin detyrat gjithandej Kosovës, bazuar në një proces të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”4, thuhet në deklaratën e publikuar më 22.08.2025.

Ky qëndrim i BE-së prek një nyje të madhe strategjike në politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës. Në thelb, dilema është: pse diplomatët e fuqive kryesore perëndimore vazhdojnë të mbrojnë ose së paku të tolerojnë ekzistencën e Listës Serbe, edhe pas rolit të saj destruktiv që kulmoi me aktin terrorist, respektivisht atakun serb ndaj integritetit të Republikës së Kosovës në shtator 2023 dhe lidhjeve të drejtpërdrejta të kësaj force me Beogradin?

Kjo sjellje edhe tash pas 25 vjetëve që kur u çlirua Kosova, dëshmon se në Bruksel vazhdon të selitet logjika që stabiliteti i mbivendoset demokracisë. Kështu kjo diplomaci po vepron edhe në raport me demonstratat e studentëve alias popullit serb ndaj regjimit të Vuçiqit.

Për Berlinin, Londrën, Parisin e Washingtonin, stabiliteti rajonal ka më shumë peshë sesa demokracia substanciale në Kosovë. Ata e konsiderojnë Listën Serbe si mekanizëm të domosdoshëm kontrolli mbi pakicën serbe, duke mos I logaritur fare partitë tjera politike të minoritetit serb, e besuar se kjo siguron qetësi të përkohshme në raport me Beogradin. Kjo është një realpolitik e ftohtë për çka kohë të gjatë ka investuar perendimi në Kosoëv, duke imponuar kështu marrëveshjen e 19 prillit 2013 që do ët pasohej me atë të gushtit 2015, me çka e rikthen de fakto Serbinë në Kosoëv përmes Listës Serbe.

Le të rikthehemi edhe një herë tek marrëveshja e 19 prillit 2013 dhe trashëgimia e saj.
Ajo marrëveshje i dha Serbisë instrumentin politik përmes të cilit penetron thellë në institucionet e Kosovës: përmes Listës Serbe. Që atëherë, ambasadorët perëndimorë janë përpjekur ta “normalizojnë” këtë gjendje, duke e trajtuar Listën Serbe si legjitimuese të përfaqësimit serb.

Kjo mund të cilësohet thjeshtë hipokrizi diplomatike, meqë dihet që Lista Serbe nuk vepron si parti kosovare, por si degë e SNS-së së Vuçiqit.

Le të rikujtojmë faktin se nga të dhënat e KQZ-së për çertifikimin e subjekteve politike rezulton se nga 92 subjekte të çertifikuara, 12 prej tyre apo 13% janë te komunitetit serb.

Gjuha e diplomatëve të BE-së dhe leksioni i La Fontenit

Pas sulmit terrorist në Banjskë (shtator 2023), ku u dëshmua roli i strukturave paralele serbe dhe i vet Listës Serbe, do të ishte krejtësisht normale, respektivisht e pritshme që diplomacia perëndimore të ndërronte kurs. Por ndodhi e kundërta: u bë presion mbi Kosovën për të ulur tensionet, për të mos e “provokuar” Beogradin, dhe për të mos “izoluar” serbët e veriut. Kjo sjellje, të asocion qoftë edhe pa dshje përralën e Ukut e qengjit të La Fontenit.
Mesazhi i nënkuptuar I këtij qëndrimi është i qartë: edhe kur Beogradi shkel rregullat, nuk duhet prishur dialogu dhe ai duhet të përmbyllet me krijimin e Republikës Serbe në Kosovë, alias Bashkësisë së Komunave Serbe!

Ku e ka burimin kjo sjellje e diplomacisë perendimore?

Hipoteza të shumta janë ngritur nëdërkohë që ndërlidhen edhe me gadishmërinë dhe vullnetin për revizionim të historisë. Një lloj kërkimfalje që iu bë Serbisë për bombardimet e NATOs [1999] nga ana e ambasadorit Christopher Robert Hill, që ndërkohë është angazhuar si këshilltar në një Asociacion lobues amerikan pro serb, shpjegon shumëçka nga kjo sjellje.
Sidoqoftë, realpolitika është ajo që dominon në këtë raport sjelljesh. Nga diplomacia perednimore Serbia vazhdon të shihet si çelës për stabilitetin në Ballkan (pa Serbinë, as Bosnja e as Kosova nuk “menaxhohen” është konkluzion i gbuar i kësaj diplomacie.)
Nga ana tjetër, diplomacia perendimore e sheh Serbin tejet të rëndësishme për balancimin e ndikimit rus e kinez – pra perëndimi beson se duhet mbajtur “në lojë”, edhe duke mbyllur sytë ndaj sjelljes destruktive të saj. Nëdrkaq në këtë kuadër Kosova shihet si aktor i vogël, që duhet të adaptohet, jo si faktor që mund ta ndryshojë lojën.

Qëndrimi i tri partive opozitare në KQZ, me ç’rast abstenuan kur ishte në pyetje pozicionimi i tyre në raport me Listën Serbe, dëmton demokracin kosovare, minon vetveten, sepse Lista Serbe nuk është parti normale opozitare, por një instrument politik i një shteti tjetër armiqësor.
Çertifikimi i kësaj Liste de facto d.t.th cenim i sovranitetin e Kosovës.

Deklarata e BE-së dhe mesazhi për Serbinë

Deklarata e BE-së në këtë rast përçon shqeto mesazhin se Brukseli po vazhdon të aplikojë standarde të dyfsishta të demokracisë kur është në pyetje Kosova dhe Serbia.

Rrjedhimisht rezulton se qëndrimi i ambasadorëve perëndimorë nuk është i motivuar nga parimet e demokracisë, por nga realpolitika e ftohtë. Ata duan ta kenë Serbinë brenda një kornize të menaxhueshme. Kjo d.t.th se dominon tutje logjika e interesit të përkohshëm, jo e drejtësisë afatgjatë.

Ndalimi i partive politike përfaqëson aktin, respektivisht “armën më të mprehtë dhe për më tepër, me dy presa të shtetit kushtetues demokratik kundër armiqve të tij të organizuar”.5

Tolerimi i Listës Serbe si “strukturë e kontrolluar nga jashtë” në Kosovë, i jep sinjal Serbisë se një gjë e tillë mund të funksionojë edhe në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Pra, diplomacia perëndimore qoftë edhe pa dashje po legjitimon strategjinë e kontrollit përmes pakicave që Beogradi ka përdorur prej shekujsh.
Kjo sjellje e diplomacisë perëndimore në Kosovë nuk prodhon demokraci funksionale as stabilitet afatgjatë – përkundrazi, ajo rritë predispozitat që Kosova të përfundojë si një shtet i dobët, me një shoqëri të zhgënjyer dhe një rajon më të rrezikuar nga manipulimet e Serbisë dhe Rusisë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit