Deputetët u mblodhën të enjten për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit të tij.
Megjithatë, ata dështuan sërish ta votonin nënkryetarin nga pakica serbe, duke e nxitur kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, ta ndërpriste seancën.
Pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – nuk hoqi dorë nga kandidimi i Sllavko Simiqit për nënkryetar, kryetari Basha i hodhi në votim përmes shortit pesë prej nëntë deputetëve të saj. Secili prej tyre mori zero vota.
Më pas, shorti i ra Nenad Rashiqit, deputetit tjetër serb në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk përkrahet nga Lista Serbe.
Rashiq është kryetar i partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe njëri i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Rashiq – i cili nuk ishte votuar as në seancën e kaluar – i mori 56 vota për, 1 kundër, ndërsa 20 deputetë abstenuan.
Kjo nënkupton se Rashiq ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.
Kjo bëri që kryetari Basha ta ndërpriste seancën. Më vonë, Kuvendi njoftoi se seanca konstituive do të vazhdojë më 30 gusht në orën 11:00.
Basha tha se e ndërpreu seancën për t’i thirrur në diskutime partitë e tjera parlamentare për ta votuar Rashiqin.
“Sa për njohurinë tuaj, jeni edhe dëshmitarë, [Rashiqi] është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota për. Pra, teoria e gjasave që të zgjidhet nga komuniteti serb, gjasat më të mëdha i ka Nenad Rashiq, prandaj unë e mbylli këtë seancë këtu dhe i vazhdojmë diskutimet mes grupeve parlamentare që ta votojnë deputetin Nenad Rashiq”, tha ai.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi pas seancës së Kuvendit të Kosovës se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.
Për këto shkelje të pretenduara, Lista Serbe njoftoi se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës./REL









