Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar një sulm të gjerë ajror në Kiev. Kryeqyteti u përball me shpërthime të njëpasnjëshme raketash dhe dronësh, të cilat goditën jo vetëm lagjet e banuara, por edhe një sërë objektivash me simbolikë të qartë politike dhe ushtarake.
Mes tyre u shënjestrua godina që strehohej delegacioni i Bashkimit Europian dhe selia e British Council, ndërsa një tjetër sulm goditi deltën e Danubit, pranë kufirit me Rumaninë, duke shkatërruar një nga pak anijet e mbetura të marinës ukrainase, të specializuar në spiunazh elektronik.
Gjithashtu u bombardua fabrika e Bayraktar në periferi të Kievit, ende e painauguruar, e cila prodhon dronët turq. Dy raketa hipersonike Kinzhal kaluan mbrojtjen ajrore ukrainase dhe shkatërruan godinat, duke dërguar një sinjal të qartë për kompanitë e huaja që po mbështesin prodhimin ushtarak të Ukrainës.
Një tjetër seri shpërthimesh goditi hekurudhat dhe depot e trenave, në një paralajmërim të qartë për ushtrinë ukrainase, e cila kohët e fundit ka filluar të synojë linjat hekurudhore në territoret e pushtuara nga Rusia. Deri më tani, hekurudhat kishin mbetur jashtë objektivave kryesore, duke garantuar furnizimet për të dyja palët.








