Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, ashtu sikur ishte paralajmëruar. Era e fortë, e shoqëruar me reshje shiu dhe stuhi ka prekur Tiranën, Durrësin, Lezhën, Vlorën por edhe qytete të tjera duke shkaktuar probleme me qarkullimin. Për shkak të përkeqësimit të motit, Policia Rrugore u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të mos udhëtojnë me shpejtësi.
Sipas parashikimit të motit, herë pas here do të priten rrebeshe shoqëruar me stuhi të forta ere. Orët e pasdites do të vijojnë me vranësira dhe shira të dendura duke rrezikuar përmbytje në disa qarqe të ultësirës perëndimore. Sakaq, shira mesatar priten në zonat malore Lindore. Gjatë natës do të ketë rënie të ndjeshme të intensiteti të reshjeve.