Alket Veliu, drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”
8 vjet më parë Avdul Sulejmani i lindur Çamëri përjetoi një kalvar mundimesh dhe presionesh për të vizituar shtëpinë ku kishte lindur në Çamëri. Atij iu ndalua hyrja në Qafë-Botë dhe me insistimin e emisionit prestigjoz investigativ “Le iene” në Itali ai hyri në Çamëri nëpërmjet Italisë por vizita e tij në Çamëri do të përfundonte me shfaqjen e policisë greke në shtëpinë ku kishte lindur e cila nuk hezitoi edhe para gazetarëve italian të ushtronte terror psikologjik mbi Avdulin madje edhe duke e dëbuar për në Shqipëri.
Rasti nuk është i izoluar por me qindra raste kanë ndodhur që prej ‘91 kur shqiptarët mund të udhëtonin jashtë. U desh rasti Xhiljanos i cili dje u përball për 4 orë me presionet e policëve grek në komisariat në Gumenicë për të na kujtuar që të jesh çam në Greqi trajtohesh si kriminel.
Në Çamëri, kujtesa shqiptare është shpallur krim. Shqiptarët që vizitojnë shtëpitë e gjyshërve, tokat e të parëve, fshatrat ku kanë lindur, ndalohen nga policia greke, mbahen në komisariate, kërcënohen dhe poshtërohen. Vizitorët paqësorë shqiptarë trajtohen si kriminelë.
Është e turpshme që Çamët etiketohen si kriminelë, Çamëria si kriminale. Ashtu si 81 vjet më parë kur një popullsi e tërë u shpall “kriminele” pa fakte dhe pa vendim gjykate, edhe sot vazhdon e njëjta politikë: mjafton të jesh shqiptar i Çamërisë dhe bëhesh subjekt i terrorit psikologjik, i kërcënimeve dhe poshtërimeve nga policia greke. Një praktikë e papranueshme për një vend që pretendon të jetë demokratik dhe europian.
A ndodh kjo në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Europian?
A ndalon Franca një qytetar që viziton shtëpinë e gjyshit në Alsace?
A ndalon Gjermania dikë që vendos flamurin polak në Silezi?
A ndalon Kroacia një italian që shkon në Istria?
Jo. Vetëm në Greqi, kujtesa shqiptare trajtohet si provokim dhe vizita paqësore shpallet kërcënim.
Por shqiptarët që kthehen në Çamëri nuk vijnë me armë, nuk vijnë me armiqësi. Vijnë me fëmijët e tyre, me lule në dorë, me lot në sy. Vijnë për të parë shtëpitë e rrënuara, për të prekur tokën e gjyshërve, për të treguar brezave se prej nga erdhën. Pse duhet të ketë frikë Greqia nga një vizitë e tillë? Sepse çdo vizitë është dëshmi e gjallë e një të vërtete që nuk shuhet: në Çamëri jetuan shqiptarë.
Çamëria është dështimi i demokracisë europiane. Të drejtat e njeriut dhe respekti për diversitetin etnik e kulturor kanë dështuar brenda kufijve të BE-së. Terrori policor është realitet brenda Unionit, ndërsa Brukseli hesht. A mund të besojë dikush se në Europë ndalohet një qytetar vetëm pse viziton shtëpinë ku ka lindur apo tokën e origjinës së vet?
Nuk është krim të vizitosh shtëpinë tënde apo tokën prej nga vjen. Krim është të përdorësh policinë për të ndaluar kujtesën.
Është e papranueshme edhe heshtja e shtetit shqiptar. Kur qytetarët shqiptarë ndalohen, kërcënohen dhe trajtohen si kriminelë në vendet e të parëve, kjo nuk është më çështje individuale. Është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe shteti shqiptar ka detyrimin të reagojë zyrtarisht ndaj palës greke, për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve të vet.
Po aq i domosdoshëm është roli i mediave shqiptare. Ato duhet të pasqyrojnë me forcë këto ngjarje, të mos heshtin, të mos tremben dhe të mos i relativizojnë. Çdo ndalesë, çdo kërcënim, çdo poshtërim i një shqiptari në Çamëri përbën interes për opinionin publik ndaj nuk duhet tradhtuar misioni publik dhe kombëtar i medias.
Çamëria është prova më e qartë e funksionimit të demokracisë brenda kufijve të Bashkimit Europian dhe njëherësh testi i dinjitetit kombëtar të shtetit shqiptar.