Të gjitha dështimet, dredhitë dhe tradhtitë politike të ujqve të vjetër të politikës shqiptare në RMV sot i atribuohen Koalicionit Vlen ose, të paktën, është konstruktuar një diskurs i tillë publik, që gjithsesi e dëmton dhe e bën përgjegjës këtë koalicion.
Statusi i pakicës kombëtare edhe pas kapjes së pushkëve për drejtësi dhe barabartësi, diskriminimi i vazhdueshën ekonomik, arsimor e kulturor, margjinalizimi institucional, mbipopullimi i burgjeve me shqiptarë të pafajshëm, dëbimi masovik i të rinjve drejt vendeve perëndimore shkaku i diferencimit politik dhe shumë e shumë gjëma të tjera, sot po i atribuohen Koalicionit Vlen.
Këtij koalicioni, të formuar kryesisht nga profiterë dhe dilinxhinj politikë, të cilët, o kanë ngrënë nga grazhdi i pushtetit, o kanë shërbyer si kalë troje për përçarje gjatë çdo nisme për krijimin e një opozite të shëndoshë e të mirëfilltë, por edhe që kanë shërbyer si paterica në fazat e tranzicioneve më të brishta politike, kur në pikëpyetje ka qenë edhe vetë ekzistenca territoriale-politike e RMV-së.
Edhe në qoftë gabim pandehja se ky koalicion u shërben ujqve të vjetër për shpërlarje të mëkateve të tyre kombëtare, dhe rimëkëmbjen e tyre politike vetëfundosja e tij është e pashmangshme shkaku i paaftësisë politike, sharlatanizmit, euforisë, nepsit e profiterizmit të pa fre dhe perceptimit negativ kolektiv, tashmë të konstruktuar mjeshtërisht nga “opozita” në rolin e viktimës në të mirë të çështjes kombëtare shqiptare në RMV, e cila, nuk është çudi, që së shpejti të rikthehet mbi kalë si Skënderbeu çlirimtar.