Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në SPAK për të firmosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa jashtë ambienteve të institucionit ka lëshuar një sërë akuzash të rënda ndaj figurave të larta të qeverisë dhe drejtësisë.
Berisha akuzoi ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për lidhje direkte me të shumëkërkuarin Suel Çela, duke pretenduar se Balla i ka premtuar mbrojtje në këmbim të votave:
“Kam bisedat e Taulant Ballës me Suel Çelën, ku i thotë se do arrestojnë bandat e tjera, ndërsa ata do i lënë të lirë për vota.”
Sipas Berishës, Suel Çela i ka kërkuar Ballës të ndërhyjë për lirimin e dy personave të akuzuar si terroristë, të cilët kishin vendosur tritol në biçikletën e Lulzim Kullës. “Tao së bashku me Hallulin i liroi,” deklaroi ai, duke akuzuar edhe anëtarë të organeve të drejtësisë për përfshirje.
Në fjalën e tij, Berisha sulmoi edhe drejtues të tjerë të drejtësisë, përfshirë Altin Hajrin dhe Ulsi Manjën, duke i cilësuar si pjesë e një “kartele të drogës” të lidhur me qeverinë.
Ai përfundoi deklaratën duke theksuar se “bashkëpunimi i tyre me krimin do të marrë ndëshkimin e merituar.”