Në kuadër të Forumit Strategjik të Bled-it, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë sot në panelin e organizuar për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Hasani së bashku me homologë të rajonit diskutuan rreth temës “Rajoni larg të rinjve: Koha për ndryshim”.
Në fokus të këtij paneli ishte nevoja për fuqizimin e të rinjve në rajon në procesin e integrimit evropian dhe për t’i bërë pjesë aktive të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe demokratik.
“Rinia është motori kryesor i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Përfshirja e saj në procesin e integrimit evropian është e pazëvendësueshme”, tha Hasani.
Ai theksoi se Shqipëria po vendos të rinjtë në qendër të procesit të integrimit, përmes nismave që forcojnë rolin e tyre si kontribues aktivë për të ardhmen e përbashkët evropiane të rajonit.
“Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është një qëllim kombëtar, por dhe një domosdoshmëri për gjithë rajonin. Përmes bashkëpunimit më të ngushtë në kuadër të BE-së dhe NATO-s, mund të sigurojmë një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të bashkuar dhe me të ardhme evropiane”, tha Hasani.








