Kryetarja e Komisionit të Medias, Ina Zhupa ka reaguar për Kodin e Ri Penal dhe shprehet se nuk kishte ndryshuar aspak qasje ndaj lirisë së medias. Zhupa shprehet se asnjë nga nenet problematike nuk është reflektuar me ndryshime në përputhje me standardet europiane.
“Riprezantimi i sotëm, i kamufluar si dëgjesë ku su dëgjua askush nga shoqëria civile, nuk kishte ndryshuar aspak qasje të kodit penal ndaj lirisë së medias.
Nenet problematike që cënojnë drejtpërdrejtë lirinë e shprehjes, lirinë e ushtrimit të profesionit të gazetarët dhe fjalën e lirë vazhdojnë dhe mbrohen me absurditete si në videon bashkëlidhur.”, thotë Zhupa.
Ajo shprehet se duhet që të kemi një kod penal që e trajton cështjen e gazetarëve dhe lirisë së medias në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe rekomandimet e BE-së.
“Me konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit do e ndjek me prioritet absolut këtë çështje, duke përdorur të gjitha instrumentet kushtetues për të dëgjuar grupet e interesit, për të ndjekur standardet europiane dhe për mos lejuar cenimin e lirisë së medias”, thekson Zhupa.