Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 28-vjetorin e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës, bamirëses së madhe shqiptare, e cila vdiq më 5 shtator 1997.
Në një postim, Kurti vlerësoi jetën dhe veprën e Anjeze Gonxhe Bojaxhiut, të lindur më 1910 në Shkup, me prejardhje nga Prizreni dhe Gjakova, e cila me përkushtimin e saj në Indi, përmes Misionareve të Bamirësisë, u bë simbol global i dashurisë dhe mëshirës.
Kurti kujtoi kontributin e saj të jashtëzakonshëm për të varfrit dhe të pambrojturit, që i solli asaj edhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Ai theksoi se, edhe pse kanë kaluar 28 vite nga ndarja e saj nga jeta, bota vazhdon ta nderojë Nënë Terezën për vlerat universale që përfaqëson.
“Nënë Tereza paraqet shembullin më të lartë ndër ne, të përpjekjes së njeriut për ta ruajtur humanitetin mes njerëzve”, u shpreh Kurti.