Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Shkodër që iu bë 34-vjeçarit, Kristian Kola i cili u qëllua disa herë nga persona ende të paidentifikuar. 34-vjeçari sapo kishte dalë nga hoteli kur u qëllua me armë zjarri.
Burime mediatike pohojnë se pranë hotelit ishte ndaluar një motor i zi dhe njëri prej personave ka qëlluar disa herë drejt të riut. Sipas policisë, vrasësi mund të ketë qenë profesionist, pasi nuk ka shkaktuar dëme anësore, edhe pse shumë afër viktimës ndodhej shoku i tij.
Në momentin e ngjarjes, në zonë ka pasur shumë lëvizje dhe policia po merr në pyetje të gjithë kalimtarët dhe disa persona që ishin aty. Gjithashtu po hetohet, pasi dyshohet se autorët kanë pasur një bashkëpunëtor i cili i ka informuar për lëvizjet e të riut.
Policia ka rindërtuar dinamikën e krimit, por ende nuk ka një motiv të qartë. I riu punonte bashkë me babanë, pasi së bashku kishin një firmë ndërtimi.









