Prokuroria e Posaçme për herë të parë ka dhënë detaje për vizitën e kreut të këtij institucioni, Altin Dumani në Amerikë. Aludimet në media kanë qenë të shumta, por cili është versioni zyrtar. Në njoftimin për mediat, SPAK jep pak detaje.
Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht
Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht.
Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, znj. Pamela J. Bondi.
Gjatë konferencës, z.Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.