Shqipëria mbrëmë triumfoi në rezultatin 1-0 ndaj Letonisë. Futbollisti Armando Broja foli pas ndeshjes dhe u shpreh i lumtur për fitore.
Broja tha se ndeshja ishte e vështirë, si dhe u shpreh se nuk ka pasur një fazë përgatitore të plotë.
“E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Kur luajtëm atje barazuam 1-1. Mbronin mirë. Luajnë shumë me pasime dhe futboll të bukur. Ndonjëherë duhet edhe 1-0, sepse ndeshjet janë të vështira për të krijuar raste dhe gola. Rrinin shumë mbrapa dhe nuk kishin hapësira. Luajtëm shumë mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë mund të kishim luajtur më mirë, por jemi të lumtur për fitoren.
Goli më mungon shumë. Sulmues jam, duhet të bëj gola. Në 4-5 ndeshjet e fundit kam luajtur në krahun e djathtë dhe është një pozicion i ri. Unë po e mësoj më mirë. Kam vite që nuk luaj në atë pozicion. Duhet të kuptohemi me lojtarët që kam afër. Krijuam disa shanse. Futa disa topa në zonë. Goli duhet të vijë dhe për mendimin tim do të vijë.
Nuk kam pasur një fazë përgatitore të plotë. Kanë qenë gjëra mes klubeve, nuk po flas. Nuk kam pasur stërvitje të mirë gjatë parasezonit. Është mirë që luajta sot. Është mira që mora fitnes për veten. Kam shumë kohë që nuk kam pasur aktivizim dhe për mua kjo është e rëndësishme”, deklaroi Broja.