Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së, duke theksuar se Edi Rama ka treguar pushtetin absolut të socialistëve.
Sipas Shehajt, përballë avantazhit të dukshëm elektoral të PS-së, e vetmja mundësi për opozitën për të sfiduar seriozisht PS-në në Bashkinë e Tiranës është zgjedhja e një kandidati të jashtëm, të papërfolur dhe të papërlyer, që bashkon të gjitha forcat opozitare.
Shehaj shpjegoi se, me shifra të zgjedhjeve të fundit, PS ka marrë 49% të votave, ndërsa PD ka rreth 32%.
Ai theksoi se një kandidat nga PD do ta bënte të pamundur fitoren e opozitës, duke sugjeruar që opozita duhet të gjejë një emër që gëzon respekt të gjerë dhe që ka bërë diçka të veçantë në jetë.
Për Shehajn, kjo është një sfidë e madhe, por e vetmja mundësi për të sfiduar dhe mundur PS-në në zgjedhjet e ardhshme.
Ai theksoi se kjo është mundësia për të sjellë një ndryshim dhe rotacion politik në Shqipëri.