Partia Socialiste ka depozituar propozimet për ndarjen e Komisioneve Parlamentare, duke i dorëzuar dokumentet zyrtarisht kryetarit të Kuvendit Niko Peleshit.
Propozimi parashikon ndarjen e Komisionit të Medias në tri pjesë dhe bashkimin e tij me Komisionin e Jashtëm dhe të Integrimit.
Po ashtu, do të krijohen dy komisione të reja: Komisioni për Burimet Natyrore dhe Komisioni për Turizmin dhe Qytetarët. Vendimi është bazuar në nenet e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Projektvendimi:
Tiranë, më .09.2025
Lënda: Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar
NIKO PELESHI
Kryetar i Kuvendit
Baza ligjore: Neni 75, pika 2, i Kushtetutës dhe nenet 55 e 117 të Rregullores së Kuvendit
I nderuar z. Kryetar,
Bashkëlidhur do të gjeni projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr.166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar, së bashku me relacionin shoqërues, propozim i një grupi deputetësh.
Vendimi i Kuvendit:
REPUBLIKA E SHQIPERISE KUVENDI
PROJEKTVENDIM
PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN E KUVENDIT NR. 166, DATË 16.12.2004, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË KUVENDIT TË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 75, pika 2, të Kushtetutës dhe neneve 55 e 117 të Rregullores së Kuvendit, me propozim të një grupi deputetësh,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet si më poshtë:
Neni 1
Në nenin 19 pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Kuvendi miraton në seancë plenare ngritjen e 11 komisioneve të përhershme me emërtesat dhe fushat e përgjegjësisë si më poshtë:
- Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat (Çështjet e politikave ekonomike me përqasjen ndaj tregut të përbashkët europian, Buxhetin e Shtetit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tij, marrëdhëniet e punësimit, lirisë së lëvizjes së punëtoreve, financat publike, privatizimet dhe sistemi bankar.)
- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. (Kodet dhe ligjet duke garantuar përputhshmërinë dhe zbatueshmërinë e tyre me standardin europian, organizimin e pushtetit gjyqësor dhe raportimin e tij, administratën e pushtetit gjyqësor, administratën publike, institucionet e pavarura në sistemin e drejtësisë.)
- Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. (Çështjet e brendshme, të rendit, organizimin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare e publike, organizimin e forcave të armatosura dhe bashkëpunimin ushtarak, çështjet e organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, emergjencat civile dhe mbrojtja nga fatkeqësitë, shërbimet sekrete.)
- Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet. (Çështjet në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikat e zhvillimit të sportit.)
- Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale. (Çështjet lidhur me politikat shëndetësore, sigurimet shoqërore, familjen, gruan dhe çështjet për mirëqenien sociale.)
- Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. (Çështjet në fushën e energjisë, burimeve natyrore dhe biodiversitetit, infrastrukturën, industrinë dhe telekomunikacionin, rregullimin e territorit, tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe çështjet për zhvillimin e qëndrueshëm.)
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.(Çështjet në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, çështjet lidhur me veprimtarinë e mediave audiovizive dhe informimit dhe çështjet për garantimin e lirisë së shprehjes.)
- Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural. (Çështjet e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, çështjet e zhvillimit rural, çështjet e kontrollit dhe garantimit të sigurisë ushqimore, monitorimin e zbatimit të politikave në fushën e bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore)
- Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. (Çështjet e kulturës kombëtare dhe trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, politikat për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor të diasporës dhe të pjesëmarrjes së saj në proceset politike dhe sociale në vend.)
- Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. (Çështjet e integrimit europian, përafrimi i legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Europian, mbikëqyrja e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit, mbikëqyrja e asistencës financiare të Bashkimit Europian për Shqipërinë, monitorimi i negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, politikat e jashtme, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, si dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.)
- Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. (Monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të veprimit të Kuvendit, Shqyrtimi dhe ndjekja e nismave të qytetarëve dhe peticioneve; Realizimi dhe koordinimi, mbikëqyrja dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve nga ekzekutivi, institucionet dhe agjencitë e pavarura prej tij, përmes koordinimit të procesit parlamentar për kontrollin post-legjislativ (PLS); Koordinimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.)
Neni 2
Në nenin 20 pika 3 shfuqizohet.
Neni 3
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYETARI
Niko PELESHI








