Ambasada e SHBA-së në Kosovë deklaron se dëshiron që të ecë para me qeverinë në detyrë, por ka shtuar se ka nevojë për partner të përkushtuar dhe që e kupton nevojën për evitimin e veprimeve destabilizuese.
Në përgjigje për KOHËN, Ambasada ka thënë se e ngarkuara me punë Anu Prattipati, ia ka shprehur shqetësimet dhe qëndrimet e SHBA-së gjatë takimeve të rregullta që ka pasur me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. SHBA-ja javën e kaluar pezulloi dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën.
“SHBA-ja gjithmonë do të jetë mike e afërt e popullit të Kosovës, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, SHBA-ja i nxitë partnerët të punojnë në mënyrë konstruktive për ta siguruar stabilitetin dhe sigurinë.
Ne duam të ecim para me qeverinë e përkohshme, por na duhet një partner që kupton nevojën për t’i evituar veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe të mbrojë të drejtat e gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ne do të vazhdojmë t’i vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë. Nuk kemi asgjë për të shtuar në këtë pikë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës









