Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar për alarmin e sigurisë ushqimore në Shqipëri. Xhixho shprehet se Partia e Lirisë merr ankesa çdo ditë nga qytetarë të shqetësuar për ushqimin e pasigurt që u vënë në tryezë fëmijëve të tyre.
Ajo thotë se shqiptarët po i helmon qeveria, si dhe jeta e fëmijëve është në rrezik. Xhixho thekson se Siguria ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare, pasi shëndeti i qytetarëve dhe fëmijëve tanë është prioriteti parësor i Partisë së Lirisë.
“Pak muaj më parë, kryeministri u premtoi shqiptarëve pasaportën europiane, por e vërteta është se kjo qeveri jo vetëm që nuk garanton dot sigurinë e ushqimit që ata konsumojnë përditë, por po bëhet rrezik edhe për të tjerët.
Mosfunksionimi i institucioneve që paguhen për të garantuar sigurinë ushqimore është përgjegjësi e qeverisë. Miliarda euro që dalin nga buxheti i shtetit për institucione ai AKU nuk i kanë shërbyer në asnjë moment qytetarit që paguan taksa.
Sepse, për fat të keq, detyra funksionale punonjësve që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore, ka dalë në plan të dytë. Inspektimi i tregjeve, analizat dhe kontrollet ia kanë lënë vendin patronazhimit të votës. Për pasojë, ne përballemi përditë me produkte të kontaminuara dhe sinjale që na vijnë nga kontrollet që bëhen në produktet që shkojnë për eksport.
Shqiptarët po i helmon qeveria. Po i helmon e njëjta qeveri që i ka dëbuar dhe po i dëbon përditë. Jeta dhe shëndeti i fëmijëve tanë është në rrezik nga ushqimi i pakontrolluar.
Partia e Lirisë do ta ndjekë me prioritet këtë çështje dhe do të denoncojë me forcë çdo rast që lidhet me sigurinë ushqimore. Ne do të jemi në çdo kohë zëri i çdo qytetari që e ndien veten të rrezikuar nga papërgjegjshmëria e institucioneve.
Siguria ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare, pasi shëndeti i qytetarëve dhe fëmijëve tanë është prioriteti ynë parësor.”, shprehet Xhixho.









