We were running the World. (Ne ishim në krye të Botës).
Kohë më parë, në një bisedë në mes miqsh të Kosovës dhe James Rubin-it, i cili asokohe ishte i angazhuar në Administratën e Presidentit Biden, si Koordinator në Qendrën për angazhim global, ishte i pashmangshëm ri-kthimi në historinë e re të Kosovës, atë më tragjiken, më të lavdishmen dhe më heroiken, të viteve të luftës (1998, 1999).
E dimë të gjithë që në këto vite, Rubin shërbente në Administratën e dytë të Presidentit Bill Clinton, si Asistent Sekretar i shtetit për marrëdhënie me publikun, dhe si bashkëpunëtori më i ngushtë i Sekretares së shtetit (të parës në historinë e Amerikës), Madeleine Albright.
E gjithë kjo histori u rikthye edhe këtë të hënë, në Hagë, gjatë dëshmisë së Rubin-it në gjykatoren e Dhomave të Specializuara, në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasnqit dhe Rexhep Selimit, figurave të shquara të UÇK-së.
U mor vesh sërish, u kuptua edhe një herë se çfarë kishte bërë Amerika për të ndihmuar, në mënyrë thelbësore, çlirimin e Kosovës në muajin qershor të vitit 1999.
Asokohe, në atë pranverën e paharrueshme të vitit 1999, megjithatë, ne mendonim që e tëra ishte një drejtësi e përmbushur karshi një vullneti të mohuar për gati një shekull të popullit shqiptar në Kosovë.
Të gjithë ne që e përjetuam dhe e mbijetuam (për më shumë), këtë histori, dhe që pastaj kaluam, vit pas viti, një tjetër periudhë kur Bota ndryshoi shumë (për të keq), dhe kur roli i Amerikës përjetoi një zbehje të vazhdueshme, e dimë që çlirimi i Kosovës koincidoi me pikën më të lartë të fuqisë së SHBA-së dhe të Perëndimit, e cila iu qep një marshimi të pandalshëm (si dukej ai pas vitit 1989, apo, pas rrëzimit të Murit të Berlinit).
Ishte fati i jonë i madh që Amerika dhe Perëndimi u gjetën në situatë kur vet mund të vendosnin se çka do të ndodhë me Kosovën dhe popullin e saj në një Rend ndërkombëtar që atëbotë tashmë ishte pagëzuar si Pax Americana.
Këtë zaten do të na e thoshte vet Rubin në rekapitullimin e tij të rolit të Amerikës në vitet e luftës në Kosovë dhe në Konferencën paqësore të Rambouillet-it (shkurt, mars, 1999).
Një gjë e tillë ka qenë e mundur, siç do të shprehej ai, sepse Amerika i printe Botës, dhe sepse Amerika në atë kohë nuk kishte kurrfarë dyshimi që ia vlen të luftohet për shpëtimin e një populli çfarë ishin shqiptarët e Kosovës.
Më në fund, Amerikës nuk kishte kush t’i kundërvihej në rastin e Kosovës: As në Botë, dhe as në Evropë.
Evropa e asaj kohe ishte krejt ndryshe nga kjo e ditëve të sotme.
Natyrisht, edhe Amerika e tashme ka fare pak gjëra të përbashkëta me atë të Presidentit Clinton, apo edhe me atë të Presidentit George W. Bush, i cili për habinë e Rubin-it (sepse Bush ishte republikan dhe fillimisht, në vitin 2001 kur dha betimin për herë të parë, ishte shumë dyshues ndaj politikës së jashtme të pararendësit të tij Clinton), bëri njëlloj për Kosovën, duke luajtur rolin kyç në krijimin e shtetit të Kosovës.
Ishte një mrekulli e vazhdimësisë së dy Administratave amerikane.
Megjithatë, mrekullitë nuk zgjasin shumë, as në politikë dhe as në jetë. Ndryshojnë rrethanat. Shkojnë elitat politike të cilat ishin autore të një qasjeje krejt ndryshe ndaj një problemi, çfarë ishte Kosova, që i rrëmbente kryelajmet e mediave ndërkombëtare. Largohen madje edhe gazetarët që në mënyrë intensive janë marrë me ne. Hapen fronte të reja lufte. Historia ecë me të shpejtë diku tjetër. Ndodh përkeqësimi dramatik i saj (për këtë jemi dëshmitarë), siç u shënua në tri vitet e fundit.
Ky është realiteti të cilin askush prej nesh nuk mund dot ta injorojë dhe as të përbuzë.
Duhet gjetur veten edhe në këto rrethanat e reja ndërkombëtare, krejtësisht tjera nga ato të fundshekullit të kaluar.
Nuk ka tjetër.
Kjo ishte porosia e James Rubin-it, në fund të kësaj bisede me te.
E James Rubin-it, mikut të madh të Kosovës.








