Më 11 tetor, Norvegjia do të përballet me Izraelin në Oslo, në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Federata Norvegjeze e Futbollit ka vendosur të japë një mesazh të fortë solidariteti, duke njoftuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave do t’i dhurohen organizatës “Mjekët pa Kufij”.
Fondet do të përdoren për të mbështetur ndërhyrjet emergjente në Gaza dhe zonat përreth, të prekura nga lufta.
Vendimi u komunikua publikisht nga presidentja e federatës, Lise Klaveness, e cila deklaroi se Norvegjia, si pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, ka detyrimin të luajë ndeshjen kundër Izraelit, por nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj krizës humanitare. Sipas saj, nisma për të dhuruar të ardhurat është një formë për të kombinuar detyrimin sportiv me ndjeshmërinë ndaj situatës së rëndë që po përjetojnë civilët.