Prokuroria e Posaçme SPAK ka refuzuar të nisë hetime ndaj Arbian Maznikut për tenderin me vlerë 471 milionë lekë për rehabilitimin e rrugës “Xhon Belushi” në Tiranë.
Dosja iu kthye Prokurorisë së Tiranës, ku pritet vendimi përfundimtar.
Tenderi u anulua vetëm një ditë pasi u denoncua publikisht nga Belind Këlliçi, i cili e quajti atë “vjedhje flagrante” dhe kërkoi hetim nga SPAK.
Rruga ishte rehabilituar nga punonjësit e bashkisë ndërkohë që tenderi ishte ende i hapur dhe pa fitues.
Prokuroria e Tiranës kishte cilësuar si të kryer aktin e “shpërdorimit të detyrës” nga Mazniku dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke e dërguar çështjen në SPAK për kompetencë.
Megjithatë, SPAK ka argumentuar se pasi tenderi është anulluar, nuk ka pasur kryerje të veprës penale dhe ka kthyer dosjen mbrapsht.
Mazniku, i cili aktualisht është ministër në qeverinë Rama, ka dhënë shpjegime në prokurori, ndërsa Partia Demokratike ka kallëzuar edhe kryebashkiakun Erion Veliaj për këtë rast.