Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka uruar kryeministrin shqiptar Edi Rama për rizgjedhjen dhe miratimin e programit qeverisës.
Në një postim në Facebook, Ahmeti e përshkruan përkushtimin e Ramës ndaj integrimit europian si shembullor dhe shpreh shpresën që Maqedonia e Veriut të ndjekë këtë rrugë.
Ahmeti thekson se Shqipëria ka avancuar ndjeshëm në hapjen e kapitujve negociues me Bashkimin Europian, ndërsa Maqedonia e Veriut po përballet me sfida dhe ngecje, përfshirë ndikimet serbo-ruse dhe cënimin e barazisë etnike, duke iu referuar rëndësisë së Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001.
“Ne na ke përkrah në mbështetje të Shqipërisë europiane dhe ecjes së sigurt drejt integrimit të plotë europian,” shkruan Ahmeti, duke uruar shëndet dhe suksese kryeministrit Rama për mandatin e tij të ri, që është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin.