Ditën e sotme në Dhomën e Ulët të Parlamentit italian u miratua për herë të tretë projektligji për ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo seancë u shoqërua me përplasje fizike dhe ofendime të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Pas votimit të reformës, ministri i Jashtëm Antonio Tajani shpërtheu në entuziazëm dhe e quajti këtë si një fitore të madhe në emër të Silvio Berlusconit. Gjithashtu edhe zv.ministri i Drejtësisë , Francesco Paolo Sisto, ngriti grushtat drejt qiellit në shenjë feste.
Me këto reagime deputetët e Partisë Demokratike, Lëvizjes 5 Yje dhe Aleancës së Gjelbër-Socialiste, shpërthyen në thirrje kundërshtuese dhe protesta verbale.
Deputetët patën përplasje fizike dhe komesarët e rendit parlamentar u detyruan që të ndërhyjnë dhe më pas seanca u pezullua nga kryetari i Kuvendit, Sergio Costa.