Sot prezantohet programi qeverisës i Edi Ramës. Qeveria Rama 4 synon që deri në vitin 2029 të ndërtojë 700 kilometra rrugë të reja. Mes akseve që pritet të përfundojnë dhe konsiderohen si projekte madhore është zgjatimi i Korridorit Blu që përfshin segmentet Milot-Balldren, Milot-Thumanë, Kashar–Lekaj dhe Lekaj–Fier, duke krijuar një bosht të ri të zhvillimit kombëtar.
Ndërtim dhe modernizim i rrjetit rrugor kombëtar
-Ndërtojmë 700 km rrugë të reja deri në vitin 2029, duke kompletuar rrjetin kombëtar me standarde modern.
-Përfundojmë segmentet kyçe të Korridorit Blu: Milot-Balldren, Milot– Thumanë, Kashar–Peze–Lekaj dhe Lekaj–Konjat–Fier, duke krijuar një bosht të ri të zhvillimit kombëtar.
-Ndërtojmë segmentin ndëlidhës të Bypass-it të Elbasanit, që bashkon autostradën Tiranë–Durrës me Korridorin VIII në drejtim të Lekajt, duke krijuar një lidhje të plotë dhe funksionale mes boshtit perëndimor dhe korridoreve transeuropiane.
-Përfundojmë Rrugën e Bregut (Dhërmi–Sarandë), së bashku me Bypass-in e Sarandës dhe Rrugën e Ksamilit, duke garantuar akses të plotë dhe zhvillim turistik të qëndrueshëm në rivierën shqiptare.
-Realizojmë Unazën e Çajupit (Gjirokastër–Libohovë–Kardhiq), duke krijuar një lidhje të re funksionale mes jugut të brendshëm dhe rrjetit kombëtar.
-Përmbyllim Rrugën e Vjosës (Ersekë–Përmet–Tepelenë), duke shndërruar luginën në një korridor zhvillimi dhe lidhur juglindjen me jugun.
-Ndërtojmë aksin Berat–Skrapar–Gramsh, duke hapur mundësi të reja turistike dhe ekonomike në Shqipërinë e Mesme.
-Realizojmë Rrugën e Liqeneve (Rrëshen–Burrel), duke shtuar aksesin dhe ndërlidhjen e Dibrës me rrjetin kombëtar.
-Përmbyllim Rrugën e Maleve (Vau i Dejës–Pukë–Fushë Arrëz), duke garantuar lidhje më të shpejta e më të sigurta për veriun e thellë dhe duke gjeneruar zhvillim të qëndrueshëm.