Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka ngritur me forcë zërin për këtë situatë, duke paralajmëruar për pasojat që kjo krizë strukturore do të ketë mbi mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit.
Sipas saj, industria është në rënie të thellë, me një tkurrje prej 7.5% vetëm në tremujorin e fundit, ndërsa punësimi në këtë sektor është zvogëluar me më shumë se 5%.
Tabaku thekson se kjo rënie nuk është thjesht një çështje statistikash, por një tregues real i mungesës së politikave ekonomike afatgjata dhe të qëndrueshme.
Në të njëjtën linjë shqetësimi qëndron edhe sektori energjetik, i cili ka pësuar një rënie me 5.2%, shoqëruar me një ulje të punësimit me 2.6%.
Ndërsa bujqësia, sektori që mbështet një pjesë të madhe të popullsisë në zonat rurale, vijon të rrëshqasë negativisht me një rënie prej 1%.
Tabaku e përshkruan këtë situatë si pasojë të një modeli ekonomik që “shkakton pabarazi të thellë, duke favorizuar një pakicë të privilegjuar ndërsa shumicës i vendos barrë të papërballueshme me taksa dhe mungesë mbështetjeje”.
Ajo thotë se ekonomia vendase është në një gjendje ku “nuk prodhon më, nuk është produktive dhe ka arritur në një pikë ku është ezauruar”.