Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi shprehet se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nuk kishte asnjë reflektim nga ana e mazhorancës duke akuzuar se po vijon në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Rregullores.
“S’mund të bënim një diskutim normal sa kohë që s’kishte reflektim nga një mazhorancë për të vijuar në shkeljen e Kushtetutës dhe Rregullores. Në mënyrë arbitrare grupi parlamentar i PD, kreu i saj Gazment Bardhi, s’ishte lajmëruar për pjesëmarrje në konferencë.
Nuk mbeta pa ngritur si shqetësim faktin se Peleshi po identifikohet si shkelës i Kushtetutës dhe Rregullores. Grupi parlamentar i opozitës i ka përcaktuar anëtarët e saj në komisione. S’mund të bënim sikur asgjë s’kishte ndodhur, kur vijmë nga një seancë për qëndrimin e vendosur të kësaj mazhorance. Kemi një kryetar parlamenti që në vend të respektonte Kushtetutën e vendimet e GJK, zgjodhi të ulej në nivelin e ushtarit të kryeministrit.
S’mund të bësh moral për sigurinë ligjore, kur kemi një mazhorancë, deputetët shkelin kushtetutën. Emrat do të dërgohen në komisione, kemi një parlament jo produkt i vullnetit të qytetarëve por i një farse terrori elektoral” tha ai.