Mbledhja e Komisionit të Ligjeve po vijon dhe po shqyrtohet kërkesa e këshilltarëve të Partisë Socialiste për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Mbledhja është shoqëruar me debate të forta mes këshilltarëve socialistë dhe atyre të opozitës.
Këshilltarët e opozitës kanë kërkuar që përveç kërkesës së PS-së, të merret në shqyrtim edhe kërkesa e tyre e depozituar disa muaj më parë për shkarkimin e Veliajt.
Ndërsa këshilltarët socialistë kanë këmbëngulur se rrethanat janë të reja dhe se aktualisht po shqyrtohet vetëm kërkesa e paraqitur nga grupi i tyre në Këshillin Bashkiak.
Ndërsa orën 15:00 pritet të mblidhet Kryesia e Këshillit Bashkiak, e cila do të diskutojë për vendimmarrjen e Komisionit të Ligjeve dhe nëse kjo kërkesë do t’i kalojë Këshillit të plotë për shqyrtim.
Mbledhja përfundimtare e Këshillit Bashkiak është caktuar për orën 16:00, ku pritet të diskutohet zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë Tiranë.








