3-vjeçari Brian Spahiu ka humbur jetën më 1 tetor 2023 pas ndërhyrjes në klinikën dentare të Roland Xhaxhos. Ka mbërritur ekspertiza nga Itali, ku ekspertët italianë kanë përcaktuar shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit. Akti i ekspertimit është voluminoz dhe po analizohet nga prokurorja e çështjes.
Brian Spahiu humbi jetën në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor 2023, tre ditë pas ndërhyrjes në klinikën private, brenda ambienteve të spitalit privat të zemrës në Tiranë.
Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”.
Babai i 3-vjeçarit ka hedhur akuza ndaj mjekut Ronald Xhaxho duke thënë se djali do të bënte vetëm pastrim gurëzash, por klinika i ka bërë 14 dhëmbë.
Ai ka shprehur se mjeku ka gënjyer kur tha se djali ka dalë duke qarë nga klinika dhe duke kërkuar të vëllain. Sipas tij 3-vjeçari s’ka folur asnjë fjalë pas operacionit dhe ka dalur i përgjumur.