Burnley doli jashtë Kupës së Anglisë pas një paraqitjeje të dobët ndaj Cardiff City, në një ndeshje ku Armando Broja u aktivizua si titullar. Trajneri i Burnley-t, Scott Parker kërkoi durim dhe kohë për lojtarin.
“Armando ka nevojë për punë dhe kohë,” u shpreh Parker pas ndeshjes.
“Është e qartë që nuk ka luajtur shumë futboll në dy sezonet e fundit, kështu që është normale të mos jetë ende në maksimum. Të gjithë duhet të kemi qetësi dhe të kuptojmë ku ndodhet ai aktualisht në aspektin fizik dhe mendor.”, shtoi trajneri.
Ai shtoi se Broja tregoi momente pozitive dhe se ka potencial për të qenë i rëndësishëm për skuadrën këtë sezon.
“Mendoj se pamë disa sinjale pozitive. Është e dukshme që i duhen më shumë minuta dhe ritëm loje. Ka nevojë për stërvitje të vazhdueshme dhe angazhim të plotë. Ne do ta mbështesim dhe do të punojmë fort me të, sepse besoj se do të ketë një rol shumë të rëndësishëm për ne këtë vit.”, tha trajneri.