Më 30 shtator përfundon afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila prej 5 shtatorit ka pezulluar veprimtarinë e Kuvendit, duke ndalur edhe procesin për formimin e qeverisë së re.
Masa u vendos pas kërkesës së Listës Serbe, e cila kontestoi legjitimitetin e seancës konstituive të Kuvendit, me arsyetimin se mungesa e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb përbën shkelje të Kushtetutës. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka deklaruar ndërkohë se konstituimi është kryer në mënyrë të rregullt dhe Kuvendi konsiderohet funksional.
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se, sapo të skadojë masa, ajo do të nisë procedurat për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar vendimin e Kushtetueses, duke e cilësuar si bllokues të panevojshëm të punës së deputetëve.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese nuk ka publikuar ende një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit, çka lë hapur skenarë të ndryshëm për ecurinë e mëtejshme të procesit politik në vend.