Deputetja socialiste Olta Xhaçka është zgjedhur sot me unanimitet në postin e Zëvendëspresidentes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), një prej forumeve më të rëndësishme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në kontinent.
Përmes një reagimi në Facebook, Xhaçka e vlerësoi këtë emërim si një dëshmi të besimit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë, duke nënvizuar rolin e vendit si një aktor me zë dhe vizion në zhvillimet evropiane.
Ajo tha se detyra e re përfshin përgjegjësi të mëdha, përfshirë përfaqësimin e Shqipërisë në mbështetje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Xhaçka theksoi gjithashtu angazhimin për të mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe për të qëndruar në krah të Ukrainës në përpjekjet për paqe dhe drejtësi.