Vendimi për ndeshjen Serbi-Shqipëri që do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin e ri Duboçica në Leskovc të Serbisë pritet të merret shumë shpejt.
Me pak më pak se dy javë para takimit dhe një javë nga grumbullimi zyrtar, autoritetet ndërkombëtare po shqyrtojnë masa të rrepta për të garantuar sigurinë dhe një ambient të qetë.
Pas trazirave në ndeshjen Serbi-Angli, ku u regjistruan episode dhune dhe prezenca e grupeve kriminale në stadium, FIFA dhe UEFA kërkojnë shmangien e pamjeve të stadiumeve bosh dhe të dhunës. Nëse do lejohen tifozët, pritet që në stadium të lejohen vetëm fëmijë dhe në numër të kufizuar, për të ruajtur aspektin vizual dhe për të minimizuar rreziqet.
Stadiumi Duboçica, i ndërtuar në vitin 2023 me kapacitet prej rreth 8,000 vendeve, do të presë edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, gjë që shton nevojën për masa të ashpra sigurie. Për delegacionin shqiptar janë caktuar vetëm 100 vende.
Ndeshja është jetike për të dy ekipet në luftën për kualifikimin në Botëror, ndërsa organizatorët përpiqen që të garantojnë paqen dhe sigurinë në këtë përballje me vëmendje ndërkombëtare.