I penduari i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë” Erion Alibej rrëfeu sot në gjyq planet për vrasjen e Emiliano Ramazanit dhe pagesën 80-85 mijë euro për krimin. Ai tregoi organizatorët dhe autorin e vrasjes.
“Nuredin Dumani nuk e njihte Emiliano Ramazanin. Unë ia kam treguar. I kam thënë se kush është. I kam dhënë informacione edhe për Elio Bitrin. Ne nuk kishim një plan konkret.
Nuk kishim një listë. Shikonim dhe e vlerësonim si do vepronim. Emiliano Ramazani ka qenë njëri i afërt i Talo Çelës, i Mikael Qoses dhe i vëllezërve Çopja. Kisha informacione pa fund për të.
Ditën e ekzekutimit të Ramazanit kam folur me Xhulianon. Emiliano rrinte shumë gjatë në palestër. Nga dita kur u nisëm për ekzekutimin e tij e derisa ai doli nga palestra, Xhuliano ka qenë gjithë kohës aktiv. Ka qëndruar aty dhe kemi folur bashkë në vijimësi në SKY ECC.
Për mua ishte i besueshëm informacioni. Ditën e ekzekutimit vetëm ai ka qenë informator. Për vrasjen e Emiliano Ramazanit kam komunikuar me Nuredinin. Duhet të çoja pagesën tek rrethi tek TEG. Kam dërguar Arsen Preçin atje me 80-85 mijë euro.
Mesa mbaj mend ka shkuar një vajzë me taksi atje, që ka marrë lekët. Xhulianon e kam paguar gjatë gjithë kohës” tha ai.








