Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është në rritje. Këtë ai e ka thënë gjatë një diskutimi të organizuar nga Hudson Institute. Aty Kurti nuk ka folur për pezullimin që Washingtoni zyrtar ia ka bërë Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën, nën arsyetimin se qeveria në detyrë ka ndërmarrë veprime që rrisin tensionet dhe jo stabilitetin në rajon. Ai ka thënë se dallimet me SHBA-në lidhen vetëm me taktikat dhe me operacionet.
“Partneriteti ynë është i ndërtuar mbi tri shtylla: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci, herë pas here përballemi me dallime, veçanërisht në lidhje me Serbinë dhe strukturat ilegale që ajo mban në Kosovë.
Por këto dallime kanë të bëjnë me taktikat dhe operacionet, jo me vlerat apo qëllimet strategjike. Në këto çështje jemi plotësisht në linjë të njëjtë. Në zhvillim, progresi është po aq i rëndësishëm”, ka thënë Kurti.
Ai e ka përmendur partneritetin me SHBA-në teksa ka folur për sanksionet që Kosova i ka vendosur ndaj Rusisë, për shkak të agresionit mbi Ukrainën.
“Ne vendosim sanksione kur është e nevojshme, mbështesim Ukrainën, forcojmë mbrojtjen tonë dhe ndërtojmë zhvillim të qëndrueshëm. Dallimet me Uashingtonin mund të lindin për çështje taktike, por për strategjinë dhe vlerat jemi në të njëjtën linjë.
Drejtimi është i qartë: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara në interesa dhe po përparojnë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta”, ka deklaruar Kurti.