Faqja “Axios” zbulon sfondin e presionit të Donald Trump mbi Benjamin Netanyahun për të pranuar planin e paqes në Gaza. E gjitha filloi tre javë më parë, kur Izraeli bombardoi Dohën në një përpjekje për të vrarë udhëheqësit e Hamasit.
Megjithatë, operacioni arriti vetëm të provokonte zemërim në të gjithë botën arabe dhe të rriste presionin brenda Izraelit për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftimeve. Katari reagoi menjëherë, duke ndërprerë ndërmjetësimin dhe duke nisur një kundërsulm diplomatik.
Këshilltarët e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, konfirmuan thënien se aty ku ka krizë, disa mund të shohin një mundësi. Ata u ndjenë të tradhtuar, thotë Axios, pasi ishin takuar me një bashkëpunëtor të ngushtë të Netanyahut në Miami pak para bombardimeve.
Pas sulmit të dështuar ndaj Katarit, thuhet se Witkoff i sugjeroi Netanyahut të kërkonte falje, por ai refuzoi. Witkoff dhe Kushner nuk u dorëzuan. Ata morën miratimin e Trump dhe hartuan një plan të ri: një propozim të kombinuar për një armëpushim dhe një kornizë pas luftës, bazuar në idetë e Tony Blair.
Netanyahu pati kundërshtime të forta dhe të shtunën pati zëra se ai do ta refuzonte planin. Trump u përgjigj menjëherë me një telefonatë të ashpër: Merre ose lëre. Nëse e lini, ne ju braktisim.
Bisedimet përfunduan në orën 23:00, me të dyja palët që bënë përparim të konsiderueshëm – përfshirë edhe kërkimfaljen që Netanyahu duhet t’i kërkojë Katarit. “Netanyahu e dinte çfarë duhej të bënte. Ai nuk kundërshtoi. Kur e kuptoi se duhej ta bënte, e bëri”, tha një zyrtar për Axios.









