Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, në një reagim të drejtpërdrejtë mbi vrasjen tronditëse brenda sallës së gjykatës, ka theksuar se kjo ngjarje nuk është një rast i izoluar, por një sinjal alarmi për krizën strukturore të sistemit të drejtësisë dhe për pasojat e padrejtësive të akumuluara ndër vite.
Ai sjell në vëmendje edhe profilin personal të gjyqtarit Astrit Kalaja, ndërsa kritikon ashpër politizimin e situatës dhe glorifikimin e dhunës nga një pjesë e opinionit publik.
“Ky është rasti i dytë i një vrasjeje në sallën e gjyqit, por këtë herë merr përmasa edhe më të rënda, sepse kemi një viktimë në krye të detyrës. Nuk e shoh si një ngjarje të shkëputur, por si një pasojë të drejtpërdrejtë të themeleve të rrënuara të sistemit. Astrit Kalajën e njoh personalisht është një prej njerëzve më humanë që kam njohur, dhe ka kaluar edhe komisionin e kontrollit të pastërtisë.
Kemi pasur raste kur një bashki ia jep tokën banorëve, e tjetra ia kthen pronarit – ndërkohë që sistemi i drejtësisë vijon të ndërtojë mbi themelet e komunizmit. Në këtë rast, autori pretendonte se ishte pronar i truallit, dhe kjo e ka ushqyer ndjesinë e padrejtësisë.
Tragjedia më e madhe është kur kriminelët shihen si të paprekshëm, ndërsa përçarja politike thellohet. Në mëngjes fillojnë sulmet ndaj opozitës, në drekë reagon kryeministri – dhe ndërkohë në rrjete sociale sheh komente të tmerrshme si: ‘Të lumtë dora!’ nga njerëz që nuk njohin fare dinamikën e ngjarjes.
Në vend që të analizojmë drejtësinë dhe fajësitë, i shpallim idhuj politikanët tanë dhe i quajmë të gjithë të tjerët ‘të korruptuar’. Kjo është një fatkeqësi shumë e madhe për shoqërinë”, shprehet Spahiu.