Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ka ardhur edhe reagimi i parë publik nga Ina Xhaxho, e cila akuzohet në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu.
Ngjarja tragjike ndodhi dy vite më parë, pas një ndërhyrjeje dentare në klinikën “Splendent”. Në të njëjtën çështje janë të përfshirë edhe babai i saj, Roland Xhaxho, si dhe tre persona të tjerë.
Në deklaratën e saj, Ina Xhaxho i është drejtuar publikut me tone të ndjera, duke kujtuar mbi 10 vite punë pranë pacientëve të saj, të cilët i përshkruan si njerëz të afërt me të cilët ka ndarë jo vetëm sukseset profesionale, por edhe shumë momente të trishta dhe sfiduese.
Reagimi i Ina Xhaxhos:
Me shpirt e me dashuri
Ka më shumë se 10 vite që rrugëtimi im profesional ka qenë pranë jush. Në çdo buzëqeshje kam parë shpresë, në çdo lot kam ndjerë dhimbje, dhe në çdo përqafim – dashuri të pastër.
Nuk kam qenë thjesht mjekja juaj. Shpesh kam qenë njeriu që ka qarë me ju, është gëzuar me ju, ju ka përqafuar në heshtje dhe ju ka dhënë kurajë kur bota ju dukej e rëndë.
E kam zgjedhur këtë rrugë jo sepse është e lehtë, por sepse është thirrja ime. Sepse çdo herë që shoh një nënë me sy të mbushur me lot falënderimi, çdo fëmijë që buzëqesh pas trajtimit, çdo shpirt që rigjen qetësinë – ndjej se jam aty ku duhet. Nuk ka shpërblim më të madh se të prekësh një jetë me dashuri dhe kujdes.
Më kanë thënë shpesh:
“Mos u lodh kaq, mos u ngarko emocionalisht, bëhu si të tjerët merre më lehtë, merri rastet si turizëm dentar…”
Por unë nuk di të jem ndryshe. Nuk di të jetoj pa shpirt në atë që bëj.
Ajo që më mban gjallë nuk janë numrat, por zemrat që kam prekur. Janë lutjet dhe mirënjohja e prindërve që shohin tek unë një dritë shprese. Sot, pas më shumë se 2000 pacientësh, ndjej vetëm falënderim.
Për secilin që më ka besuar, për secilin që më ka dhuruar një pjesë të shpirtit të tij. Ju më keni bërë njeri më të fortë, më të butë dhe më të përulur.
Dhe mbi të gjitha…
Faleminderit nga zemra Profesorit tim, njeriut që me 47 vite përvojë mbi supe ka qenë drita që më ka udhëhequr çdo ditë.
Ky është misioni im. Jo thjesht një punë. Dashuri e pastër. Dhimbje. Shpresë. Jetë.