Një grup minatorësh në Spaç të Mirditës janë hedhur në protestë kundër punëdhënësit, një kompani turke që menaxhon minierën. Kërkojnë rritje page, kontrata pune të rregullta, përmirësimin e kushteve të punës…
Sjellja e policisë, kur ata dolën në rrugë, ishte tërësisht e pa pranueshme, arrogante dhe e turpshme. Padyshim, bllokimi i rrugës nuk është një mjet demokratik!
Por çfarë të bëjnë njerëzit e që zhyten qindra metra nën tokë të nxjerrin mineralin, për të tërhequr vëmendjen e shtetit të tyre që të kontrollojë kompanitë e huaja që u ka dhënë pasuritë e natyrës?
Duhet të jetë vetë institucionet ato që të kontrollojnë edhe kontratat, edhe kushtet e punës, edhe…edhe…
Natyrisht që bllokimi i rrugës nuk është demokratik! Por a mund të sillej ndryshe policia me njerëzit që bëjnë punën më të rëndë në këtë vend? A mund të ishin më njerëzor në kryerjen e detyrës, pa i tërhequr zvarrë?
Kur protestonin naftëtarët, të tjerat thanë: Unë s’jam naftëtar, ç’më duhet mua!
Kur protestuan blegtoret, duke derdhur qumështin, të tjerët thanë: Ç’më duhet mua, unë s’jam blegtor.
Kur protestuan fermerët, duke hedhur domatet rrugëve, të tjerët thanë: Ç’më duhet mua, unë nuk juam fermer.
Kur protestuan minatorët, të tjerët thanë: Ç’më duhet mua, unë s’jam minator.
Dhe në fund, asnjëri nuk fitoi asgjë nga ato që kërkuan.
Ndaj unë sot jam me minatorët!
Të gjithë duhet të jemi me minatorët!
Ata janë në të drejtën e tyre të protestojnë, të futen në grevë, të paralizojnë aktivitetin e minierës. Policia nuk duhet të shndërrohet në përmbarues i kompanisë që menaxhon minierën, por të qëndrojë në pozicionin që i njeh ligji.








